Kategoria | Lajme

Mjekët e KEMP-it, zbardhet skema e abuzimit

Gjykata dha masën e sigurisë për bluzat e bardha. Tushe Qalliu dhe Leon Shpataraku, të akuzuar për korrupsion

Kanë mbetur në burg dy mjekët e Komisionit të KEMP-it, të cilët u arrestuan mbrëmjen e së premtes nën akuzën e korrupsionit. Ky ka qenë vendimi i Gjykatës së Fierit, e cila dje nisi zyrtarisht gjykimin ndaj Tushe Qalliut dhe Leon Shpatarakut, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Raportit të Invaliditetit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore Fier.

Paraditen e së shtunës është zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier seanca e vlerësimit të arrestimit për Tushe Qalliun dhe Leon Shpatarakun. Të dy mjekët janë përballur dje me togat e zeza. Gjyqtar i çështjes ishte Gentian Hamiti, ndërkohë që organi i akuzës përfaqësohej nga prokurori Artur Cara. Dy mjekët e arrestuar janë përballur veçmas njëri-tjetrit me togat e zeza.

E pandehura Tushe Qalliu, nën mbrojtjen e uniformave blu, është dërguar për në sallën e gjyqit. Edhe në fund të seancës gjyqësore, para se ajo të dilte nga porta kryesore e gjykatës, ka dalë fillimisht policia shoqëruese, e cila ka parë rreth e rrotull për ndonjë kamerë apo objektiv, e pastaj ka dhënë sinjal me kokë për të djalë mjekia nën pranga.

Seanca gjyqësore e së shtunës për dy mjekët e arrestuar ka konstituar në masë vlerësimi ndaj tyre. Edhe pse avokatët mbrojtës i janë referuar nenit 230 për një masë vlerësimi më të lehtë, sërish gjyqtari Gentian Hamiti e ka quajtur të vlefshëm arrestin dhe ka lënë të njëjtën masë, atë të burgut pa afat. Pikërisht kjo është kërkuar edhe nga prokurori Artur Cara. “Tashmë shpresa e një mase më të lehtë sigurie për dy mjekët e arrestuar ka mbetur në apel, ku mësohet se do të shkojë për revokim vendimi i arrestit”, kështu janë shprehur avokatët mbrojtës.

Në vendimin e gjykatës “Për caktimin e masës së arrestit” jepen disa nga detajet e hetimit të kryer ndaj pjesëtarëve të Komisionit të KEMP-it në Fier, dy prej të cilëve u arrestuan dhe një i tretë u shpall në kërkim.

“Mjeku Leon Shpataraku, kirurg, dyshohet se përfitonte shuma monetare nga persona të cilët plotësonin dokumentacionin e daljes në KEMP, duke i favorizuar ata në plotësimin e epikrizës, ose në raste të tjera duke shtrënguar personat- që realisht e përfitojnë KEMP-in -të paguajnë shuma monetare deri në 20 mijë lekë”, thuhet në një pasazh të vendimit të gjykatës.

Madje, në këtë vendim jepen edhe dy raste ku mjeku Shpataraku ka abuzuar. “Nga të dhënat e deritanishme rezultojnë dy raste gjatë muajit prill 2010, ai i denoncuar nga shtetasja V.H., banuese në Hekal, Mallakastër, si dhe shtetasja A.P., banuese në Seman, Fier. Këto dy shtetase janë dy nga 20 aplikantet për KEMP, që janë lajmëruar nga mjeku Leon Shpataraku për të shkuar në zyrën e tij në spitalin rajonal, ku ai punonte. Ka të dhëna se prindërit e dy të sipërcituarave, Xh.H., dhe N.P., i kanë paguar mjekut kirurg shumën e 20 mijë lekëve për të përfituar epikrizën e daljes në KEMP.

Këto pagesa janë bërë pasi diagnozat e sëmundjeve nuk i parashikonin aplikantët si përfituese të KEMP-it”, thuhet në dosjen hetimore. Po sipas hetimeve, dosja e A.V., nga Visoka e Mallakastrës, dyshohet se e ka thelluar edhe më abuzimin e kryer nga mjekët e arrestuar. Prokuroria për të arritur deri në prangosjen e mjekëve ka përdorur specialë të hetimit, ku përfshihen vëzhgimet, përgjimet telekomunikative, si dhe vendosja e kamerave të fshehta në zyrën ku tre mjekët jepnin vlerësimin dhe që dyshohej se ndanin edhe lekët që përfitonin në mënyrë abuzuese. Mësohet se janë regjistruar me dhjetëra raste gjatë më shumë se tre muajve hetime për këtë ngjarje. Përgjimet me kamera janë prova e pakundërshtueshme për mjekët, që njihen në Fier ndër personat më të pasur, pasi ata kanë banesa shumëkatëshe, pallate, deri dhe një rrjet banesash të shtrenjta.

Të enjten në mbrëmje u prangosën nën akuzën e korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike: Tushe Qalliu, 49 vjeçe dhe Leon Shpataraku, 45 vjeç, ndërkohë që u shpall në kërkim 66-vjeçari Stavri Furxhi, i cili gjatë ecurisë së hetimeve ka preferuar largimin drejt Greqisë.

Popularity: 2% [?]

1 Koment(e) Per Kete Postim

  1. Flora Thote:

    Me vjen mire qe keto raste denoncohen sepse keshtu munde te ndryshohet gjendja qe prej kohesh ka ekzistuar.Jeta eshte bere shume e veshtire.Leku nuk ka vleren e tij.N.se. do te duam te hyjme ne demokraci dhe te bejme pjese ne boten qe na rrethon duhet ti denoncojme keto raste te shemtuara.

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com