Protestë para prefekturës: Nëse s‘paguhemi do të bllokojmë rrugën nacionale. Rreth 620 punonjës të Uzinës së Përpunimit të Naftës Fier, si dhe të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, të cilët janë prekur nga reforma në qershor dhe korrik të këtij viti kanë protestuar dje përpara Prefekturës së Fierit. Shkak i protestës është bërë moszbatimi i të gjitha kushteve të reformës, që parashikonte pagesën e tyre me gjysmë page shtesë për një periudhë njëvjeçare. Protesta e naftëtarëve të dalë në reformë ka zgjatur një orë. Grupi i naftëtarëve, që qëndronte në sheshin përpara prefekturës, ka penguar edhe vizitën e konsullit italian në Vlorë, e cila ishte e parashikuar për t‘u zhvilluar dje. Është dashur ndërhyrja e punonjësve të shërbimit në Prefekturën e Fierit, si dhe policia e rendit në Komisariatin e Fierit që grupi i protestuesve të zhvendosej disa metra më poshtë. Sipas naftëtarëve, mësohet se protesta e djeshme vjen pas protestës së zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të ARMO-s në Tiranë, pasi nga kjo kompani varen edhe UPN-ja Fier e KPTHN-ja Ballsh. “Protestuam në Tiranë pranë Drejtorisë së ARMO-s. Na u premtua që do të na jepej shpërblimi i ligjëruar me vendim të Kryeministrit për ne që u prekëm nga reforma. Asgjë në fakt nuk ndodhi. Shkuam në Ministrinë e Energjetikës të takoheshim me ministrin Genc Ruli. Por ai kishte ikur jashtë, ose kështu na thanë për të na përzënë. Kemi protestuar dy herë të tjera këtu në prefekturë dhe kjo është hera e tretë”, thotë Rrapi Mërtiri, i cili kishte mbi 22 vjet punë në naftë, para se të dilte në reformë. Mes protestuesve kishte edhe shumë gra, të cilat ishin prekur nga reforma. Ato së bashku me naftëtarët e tjerë protestues kanë kërcënuar se, nëse nuk zgjidhet problemi, atëherë do të bllokojnë rrugët kombëtare Fier-Lushnjë e Ballsh-Tepelenë. Rreth mesditës, një përfaqësi e protestuesve ka komunikuar me prefektin e Fierit, Shahin Bejdaj, të cilit i janë lënë tri ditë afat për plotësimin e kërkesave.




