Ish-punonjësit e Kombinatit të Përpunimit i kërkojnë takim prefektit Bejdaj për rrogat e papaguara. Ndërhyn policia ish-punonjësit e Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh, të dalë në reformë gjatë korrikut të vitit 2008, kanë protestuar dje paradite përballë Prefekturës së Fierit, ndërkohë që kanë hyrë me forcë deri në katin e dytë të saj, me qëllimin e vetëm për t‘u takuar me kreun e prefekturës, Shahin Bejdaj.
“Zaptimin” e prefekturës, grupi i naftëtarëve e ka bërë duke anashkaluar rojën e saj, si dhe duke u ndeshur edhe me administratën e prefektit të Fierit, e cila ishte bërë mburojë që në katin e parë. Pasi kanë hyrë në katin e dytë dhe i janë afruar zyrës së prefektit, grupi i naftëtarëve, ku numëroheshin më shumë se 100 të tillë, është ndeshur me policët e repartit të zjarrfikësve dhe punonjësit e emergjencave civile, të cilët kishin bërë pritë në paradhomën e kreut të prefekturës. Shkak i kësaj indinjate të ish-naftëtarëve mësohet të jetë mosdhënia e pagës mujore për ta që nga muaji nëntor i vitit të kaluar.
Reagimet
Ndërsa priste për të takuar prefektin, Hava Taullaj, një naftëtare protestuese, tha për gazetën “Shqip” se asnjë nga 606 naftëtarët e dalë në reformë, në qershor dhe korrik të vitit 2008, nuk e ka marrë pagën mujore që nga nëntori i vitit të kaluar. “Kur na nxorën në reformë, në bazë të një vendimi të qeverisë, na thanë që do të trajtoheshim me rrogë bazë dhe pagë për tre vjet. Pagesa jonë zgjati nga korriku deri në tetor dhe që nga muaji nëntor askush nuk na ka paguar”, tha për “Shqip” Fadil Saliaj, një tjetër naftëtar. Ai tregon edhe vendimet e qeverisë për trajtimin e tyre.
Nga naftëtarët protestues mësohet se problemi i pagesës së tyre është kthyer në top, që hidhet sa te qeveria dhe Ministria e Energjetikës e sa te pronarët e rinj të kompanisë. “Kemi marrë takim me përfaqësues të Ministrisë së Energjetikës, me zëvendësministrin e saj, si dhe me drejtues të tjerë, të cilët na vënë në dispozicion pikërisht dy urdhrat e qeverisë së Berishës. Edhe në takimin që patëm me Kryeparlamentaren Jozefina Topalli na është thënë që pronarët e rinj duhet të na paguajnë. Kurse kërkesa e pagesës sonë pranë drejtuesve të ‘ARMO‘-s ka marrë përgjigjen se ne duhet të na paguajë qeveria dhe shteti shqiptar, e jo pronarët e rinj”, ka sqaruar Pajtim Elmazaj, një tjetër naftëtar protestues.
“U takuam me drejtorin e ri të kompanisë, Henri Babe. Ai na tha se, si pronarë të rinj të kompanisë, nuk njohin asnjë të drejtë për të paguar këtë grup naftëtarësh të dalë në reformë. Me drejtorin Babe, i cili na ka takuar personalisht, kemi kontaktuar edhe dy herë të tjera. Na ka dhënë të njëjtën përgjigje. I jemi drejtuar Ministrisë së Energjetikës, ku na është thënë që u takon pronarëve të paguajnë. Ku do të shkojë halli ynë?! Kemi një jetë në naftë dhe sot dalim sikur të mos ishim njerëz. Kam fëmijë dhe më duhet të mbaj familjen”, tha një tjetër ish-naftëtar, Dashnor Hyseni.
Ndërhyrja
Qëndrimi i protestuesve në paradhomën e prefektit të Fierit ka zgjatur vetëm 30 minuta, pasi ka ndërhyrë policia e rendit për të shpërndarë protestuesit dhe për t‘i nxjerrë ata nga institucioni i prefektit. Më shumë se 20 uniforma blu të Komisariatit të Fierit kanë marrë pjesë në largimin me forcë të naftëtarëve nga mjediset e brendshme të prefekturës. I pranishëm ishte edhe drejtori i Policisë së Qarkut, Shemsi Premçi, të cilit mësohet se i ishte kërkuar ndihmë nga prefekti Bejdaj.
Pas nxjerrjes nga prefektura, një përfaqësi e naftëtarëve ka marrë kontakt me kreun e saj. Nën debate të ashpra ka nisur përballja e naftëtarëve me prefektin e Fierit. Madje, naftëtarët i kanë treguar atij edhe periudhën e zgjedhjeve, duke kërcënuar me votë kundër. Nga ana e tij, prefekti Bejdaj ka shprehur angazhimin e tij personal për të zgjidhur këtë problem. Prefekti ka kontaktuar në ato momente, në telefon, me ministrin e Energjetikës, Genc Ruli, ndërkohë që zyrtarisht ka njoftuar edhe Kryeministrin e vendit, Berisha.
Megjithatë, një rezultat që të kënaqte ish-naftëtarët ka munguar edhe pas këtij takimi. Ndaj, ish-punonjësit e Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës kanë protestuar në sheshin përpara prefekturës, deri në orët e pasdites. Ata kërcënuan me hyrje në grevë urie dhe bllokim të rrugës kombëtare Ballsh-Tepelenë, nëse nuk u zgjidhet kërkesa për marrjen e pagave të prapambetura.
Janë 606 naftëtarë të kompanisë “ARMO”, të cilët u prekën nga reforma, në verën e vitit 2008. Ata kanë qenë të punësuar në KPTHN-në e Ballshit, UPN-në e Fierit, si dhe në të gjithë sektorët vartës të “ARMO”-s.
Popularity: 1% [?]





January 29th, 2009 me 3:00 pm
ore keta qeveritaret tane mire cipe dhe turp nuk kane,por cik keq nuk i vjen per keta punetor???jane familjar….presim te vej shqiperia drejt evropes…po me duket po shkojme drejt somalis…ose jemi somali me njerez te bardhe
December 12th, 2009 me 8:36 pm
Nje shtet i degjeneruar i drejtuar nga krye hajduti Sali Berisha me gjithe horrat e tij po mbajne penge 606 punetor te KPTHN pa u dhene rrogen e asistences dhe vitet e vjetersise se punes pa i pagur, dhe pushtetaret dalin ne fushate me premtimet se seshpejti do tju jepen punetoreve te KPTHN detyrimet qe u ka shteti, por keta mashtrtues kane nje vit e gjysme qe nuk na japin detyrimet qe na takojne. Hajde tju besosh ketyre pushtetareve hajdute pa perjashtim.
me nderim e respekt Pajtim Elmazaj.