Kategoria | Lajme

Pacientët e spitalit, në pritje të grafisë

Që prej një muaji, klinika private, shpëtimi i vetëm për ata që kanë para
Reparti i radiologjisë në Spitalin Rajonal të Fierit, që prej një muaji është në krizë për filma pulmonarë, që përdoren për kryerjen e një radiografie. Pacientët e shtruar në spital presin me ditë të tëra për kryerjen e një radiografie, ndërkohë që situata e krizës ka gjetur zgjidhje vetëm te një klinikë private pranë spitalit. Por, që me çmimet e saj bëhet e papërballueshme për një pjesë të të sëmurëve. Tekniku i radiografisë, Spartak Konda, tha se vetëm disa tipa filmi mungojnë, ndërkohë që pacientët akuzojnë se asnjë radiografi nuk është kryer prej disa javësh.

Situata bëhet më e rëndë për pacientët e shtruar në spital, të cilët thonë se “prej shumë ditësh po na vonohet kura për sëmundjen që kemi, pasi na thonë që të presim furnizimin me filma”. Disa nga pacientët e shtruar shprehen se mjekët i kanë drejtuar për në klinikën private pranë spitalit, për të kryer grafitë e munguara në spitalin publik. “Na kanë thënë se ka një klinikë këtu afër. Nuk na kanë detyruar, por vetëm na thanë nëse keni lekë mund të shkoni ta kryeni grafinë aty”, thotë Hurmaja, një paciente. Vetëm pak prej këtyre të fundit kanë mundur të sigurojnë grafinë në klinikën private, pasi çmimet e saj janë shumë të larta, kurse pacientët e tjerë kanë marrë një kurim periodik e po presin dita-ditës për ardhjen e filmave.

Pacientët akuzojnë sistemin shëndetësor publik, por nuk e vënë gishtin mbi mjekët, pasi, sipas tyre, për këtë krizë e ka fajin farmacia e spitalit dhe drejtoria. Në farmacinë e Spitalit Rajonal të Fierit, kryefarmacisti thotë se edhe në depon nga furnizohen me medikamente dhe aksesorë shëndetësorë mungojnë filmat pulmonarë. Tekniku i laboratorit të repartit të radiologjisë në Spitalin Rajonal të Fierit, duke dashur të mos e pranojë krizën për filma, pohon faktin se vetëm disa tipa filmash pulmonarë mungojnë. “Bëhet fjalë për një mungesë të filmave me përmasa të mëdha, siç është ajo 40×30. Tipat e filmave të vegjël ne i kemi, por duhet thënë se ata nuk zëvendësojnë në mënyrë të përsosur filmin e madh”, thekson tekniku i laboratorit të radiologjisë, Spartak Konda. Ai shpjegon se për mjekime të veçanta është e domosdoshme prania e një filmi të madh. Konda shton se kërkesa i është bërë jo vetëm kreut të repartit të radiologjisë, dr. Jani Pjetrit, por edhe drejtorisë së spitalit, si dhe farmacisë. Tekniku dhe të gjitha bluzat e bardha në repartin e radiografisë thonë se edhe lëvizjet që kanë përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë kanë ndikuar në vonesën e furnizimit të depos së farmacive spitalore me këtë aksesor kaq shumë të nevojshëm.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com