Kategoria | Lajme

Etiketat : , ,

Policia nis të hetojë nga e para 54 dosje të vjetra

Vrasja e një polici në vitin 1998 pritet të zbardhet shumë shpejt. Viti 2009 ka nisur shumë i ngjeshur për Departamentin e Zbulimit të Krimeve të Vjetra në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier. Zbardhja e ngjarjeve të vjetra është një nga prioritetet kryesore të kësaj drejtorie dhe sipas burimeve zyrtare të informacionit mësohet se ka shumë dosje të pazbardhura që janë mbartur prej shumë vitesh. Në këtë fillim viti është ngritur në shkallë drejtorie një grup pune i përbërë prej oficerësh me përvojë dhe ekspertësh në fushën e krimeve. Konfirmohet se ky grup po punon për zbardhjen e pothuaj të gjitha ngjarjeve të vjetra. Bëhet fjalë për një “mal” me dosje ende të pazbardhura. Drejtues të policisë së Fierit kanë seleksionuar si fillim 54 dosje, të cilat do të rihetohen. Por puna nuk është e lehtë, pasi bëhet fjalë për krime të ndodhura përpara 12 vjetësh. “Kanë kaluar shumë kohë, njerëzit nuk kanë folur në atë kohë për shkak të rrethanave që kanë qenë edhe vite të vështira e të trazuara, por gjithsesi është këmbëngulja e grupit të punës që nga 54 dosje për të tre komisariatet e policisë Fier, Mallakastër e Lushnjë, janë planifikuar dhe kanë filluar të rijetohen 29, të cilat duhet thënë se kanë prioritetin më të madh. Këto dosje kanë të bëjnë me krime të tilla si vrasje, grabitje me armë e plagosje të rënda”, tha një zyrtar i lartë i Policisë së Fierit. Një nga ngjarjet ku është përqendruar puna hetimore është zbardhja e vrasjes së policit Edmond Ferko. Në nëntor të vitit 1998 ai ishte vrarë me një plumb në zemër dhe ishte hedhur më pas në shinat e trenit të linjës hekurudhore Fier-Ballsh. Sipas burimeve policore, hetimet për këtë ngjarje kanë ecur mirë dhe janë fare pranë përfundimit. Sipas të njëjtave burime, Ferko ka qenë roje objekti në Azotikun e Fierit, ku në ato vite janë vjedhur dy rrjeta platini, të cilat më pas u shitën në Itali për 500 mijë dollarë amerikanë. Një tjetër dosje që po hetohet është ajo e sulmit që disa persona i kanë bërë Postës së policisë në Roskovec në vitin 1997. Ndërkohë, Policia e Fierit ka filluar një punë intensive edhe për zbardhjen e dy ngjarjeve të vitit të shkuar, njëra prej të cilave është ajo e gjetjes së një kufome ende të paidentifikuar pranë fshatit Grabian të Lushnjës dhe vrasja e shtetasit Mehmet Feleqi në fshatin Ngjeqar.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com