Aksidenti i rëndë ndodhi në autostradën Fier-Lushnjë
Një aksident i rëndë ka ndodhur në autostradën Fier-Lushnjë. Si pasojë e aksidentit ka marrë plagë të rënda një i moshuar që qarkullonte me biçikletë, ndërsa është vënë në pranga autori i ngjarjes.
Burime policore pohuan për gazetën “Shqip” se kanë arrestuar Aleksandër Karajn, lindur dhe banues në fshatin Gjinaj të rrethit të Elbasanit. Karaj, sipas policisë, duke drejtuar automjetin e tij personal të tipit “Skoda” me targa ZHN 1825, ka aksidentuar rëndë 63-vjeçarin me inicialet A.C. Përplasja ka ndodhur vetëm pak metra vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i Savrës”. Po sipas policisë, 63-vjeçari po udhëtonte me biçikletë dhe ishte në kahun e duhur të qarkullimit. I moshuari është përplasur nga makina që drejtonte Karaj në pjesën e pasme dhe kjo mendohet se ka shkak shpejtësisë me të cilën udhëtonte autovetura. I aksidentuari është transportuar menjëherë për në spitalin e Lushnjës, ku bluzat e bardha konfirmojnë se aktualisht gjendja e tij shëndetësore është e rëndë, pasi pacienti ka rënë në koma. Mjekët nuk japin shpresa për të aksidentuarin, ndërkohë që policia i ka vënë prangat autorit që në vendin e aksidentit. Tashmë Aleksandër Karaj do të procedohet penalisht për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal. Aksidentet i kanë marrë jetën dy personave ditët e fundit, ndërsa 6 të tjerë janë plagosur.
Popularity: 2% [?]




