Anëtarët e djathtë mblidhen në një hotel, votojnë largimin e Maksim Gogës. Emërohet kryetari i ri, miratohen fondet për pagat e punonjësve të pastrimit
FIER- Pas dështimit të dy mbledhjeve radhazi, debateve të ashpra me punëtorët e pastrim-gjelbërimit në Patos dhe pamundësisë për të zhvilluar një mbledhje normale, se mesditën e djeshme 19 anëtarë të Këshillit të Bashkisë Patos nga 25 këshilltarë që ka gjithsej ky Këshill janë mbledhur në një hotel, tetë kilometra larg Patosit, për të zhvilluar mbledhjen e jashtëzakonshme. Këshilli i Bashkisë Patos konfirmohet prej anëtarëve të tij, se është mbledhur në orën 14:10 në një nga mjediset private të hotel “Fierit”, në qendër të qytetit të Fierit, pronë e Muharrem Stojkut, drejtorit aktual të KESH-it. Në mbledhje nuk ka qenë i pranishëm kryetari Maksim Goga, si dhe përfaqësuesit e PS-së dhe një pjesë e atyre të LSI-së. Pjesëmarrësit ishin të gjithë këshilltarët e PD-së, ata të PDI-së dhe dy anëtarë të LSI-së. Pika e parë e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje ka qenë mocioni i votëbesimit të kryetarit të Këshillit Bashkiak, Maksim Goga.
Me 19 vota pro Goga është shkarkuar nga posti që mbante. Më pas në rend të ditës ka hyrë pika e dytë që ishte emërimi i kreut të ri. Konfirmohet prej anëtarëve të PDI-se se fillimisht u zgjodh një komision i përbërë nga tre anëtarët: Nimet Musai, Neim Nazëraj dhe Adelina Shpërdheja. Dy kandidaturat për kreun e ri të këshillit ishin Leonard Behaj nga PD dhe Adelina Shpërdheja nga LSI. Pas votimit në mënyrë të fshehtë, përfaqësuesi i PD-së, Behaj, ka marrë 16 vota pro, 2 kundër dhe një fletë votimi ishte e pavlefshme. Gjithashtu konfirmohet se në mbledhjen “ilegale” është miratuar edhe buxheti për vitin e ardhshëm. Nën drejtimin e kryetarit të ri mbledhja vazhdoi për miratimin e buxhetit prej 16.9 milionë lekësh të reja për pagat e 80 punonjësve të papaguar, fondi për ushqimin e çerdheve, si dhe është lënë që të hënën të zhvillohet mbledhja e radhës, ku do të diskutohet për bursat. Të 19 këshilltarët pjesëmarrës në mbledhjen e pasdites së djeshme e kanë cilësuar si të ligjshëm veprimin e kryer. Po ashtu të ligjshme ata kanë cilësuar edhe vendimet e marra. “Mbledhja është absolutisht e ligjshme dhe këtë e deklaroj me cilësinë e kreut të ri të Këshillit Bashkiak të Patosit”,-ka thënë kreu i sapozgjedhur Leonard Behaj sepse në mbledhjen jashtë radhe e kemi kërkuar qysh në datën 4 dhjetor dhe kryetari i këtij këshilli është shkarkuar sot. Janë plotësuar të gjitha afatet kohore dhe ligjore, por ish-kreu i këtij Këshilli, Maksim Goga, nuk donte që kjo mbledhje emergjente të zhvillohej thjesht për arsye të interesave të tij personale, sepse nuk donte të shkarkohej. Sapo vendimi i Këshillit Bashkiak të marrë “OK” në prefekturën e Fierit, nuk ka asnjë problem tjetër. Por këto argumente i ka hedhur poshtë kryetari aktual i Këshillit të Bashkisë Patos Maskim Goga për të cilin mbledhja është e jashtëligjshme”. “Ligjërisht kjo mbledhje nuk është e ligjshme”,-ka thënë Goga. “Është një mbledhje kafenesh sepse është zhvilluar një takim i ngushtë në ambiente lokalesh. Unë personalisht nuk e njoh këtë vendim të një pjese të këshilltarëve, në një kohë kur salla e mbledhjes në Bashkinë Patos është e hapur për këshilltarët”.
Popularity: 1% [?]




