Kategoria | Lajme

Shpërthen pusi i naftës, helmohen dhjetë veta

Një fontanë gazi shpërtheu gjatë një eksperimenti në zonën e Hekalit. Një shpërthim gazi nga një pus nafte në fshatin Hekal të Mallakastrës ka vënë në rrezik jetët e disa punëtorëve dhe banorëve të zonës. Shpërthimi i gazit ka ndodhur rreth orës 17:50 të ditës së djeshme dhe për pasojë dhjetë persona, kryesisht fëmijë, janë helmuar dhe kanë marrë ndihmën në spitalin e qytetit të Ballshit. Lajmi konfirmohet për gazetën nga përfaqësues të firmës “Stream Oil” që ka nën administrim pusin ku ndodhi shpërthimi i gazit që në gjuhën teknike quhet fontanë, si dhe nga autoritetet vendore në Hekal dhe Ballsh. Petrit Sulkaj, specialist i firmës “Stream Oil” sqaroi se në pusin e fondit të ndalur në zonën e Hekalit është bërë një eksperiment nga kjo kompani, për të vënë në punë shtresat gëlqerore dhe ranore të pusit. Si pasojë e një valvule të amortizuar të vendosur që nga koha kur pusi ishte nën administrimin e kompanisë “Albpetrol”, ka ndodhur një shpërthim gazi. Sulkaj thotë se ka qenë valvola e amortizuar shkak i fontanimit dhe gazi është përhapur në atmosferë, në një zonë të gjerë. Menjëherë drejt fshatit Hekal janë nisur dy ambulanca nga Ballshi dhe dy nga Fieri për të ndihmuar banorët, dhjetë prej të cilëve janë dërguar në spitalin e Ballshit ku kanë marrë ndihmën e parë. Dëshmitarët në vendngjarje thanë se të paktën gjysma e personave të helmuar nga gazi i shpërndarë në atmosferë ishin fëmijë, të cilët u grumbulluan pranë pusit nga kurioziteti, të tërhequr nga fishkëllima e fortë që lëshonte shkarkimi i gazit. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë edhe disa mjete zjarrfikëse, por deri në mbrëmje vonë ndihma e tyre nuk ka qenë e nevojshme. Specialistë të “Albpetrolit” kanë shkuar dje në Hekal dhe në bashkëpunim me specialistët e firmës “Stream Oil” kanë nisur punën për riparimin e avarisë.

Popularity: 1% [?]

1 Koment(e) Per Kete Postim

  1. 1maj FIER Thote:

    specialistet po riparojne pusin,po mushkrite dhe gjakun e helmuar te banoreve kush i jep garanci qe sdo te helmohen perseri….zoti le ti ruaj!!!!!

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com