Kategoria | Lajme

Etiketat : , , ,

Spitali pa ilaçe, vonesat për shkak të grosistëve

Fier, pacientët blejnë privatisht antibiotikë dhe injeksione. Në spitalin rajonal të Fierit mungojnë medikamentet. Të shtruarit e të gjithë pavijoneve të spitalit i sigurojnë vetë ato. Mungesa e disa barnave në spitalin e Fierit është ndjerë prej disa javësh. Pacientët tregojnë për gazetën se përveç ilaçeve, në spital mungojnë dhe shiringat e injeksioneve, për të cilat infermieret u thonë pacientëve që t’i sigurojnë vetë ato.

“Kam një javë i shtruar dhe gjithçka e kam blerë vetë. Spitali është keq edhe për shiringa. Vetëm shërbimin e mjekut marrim këtu në spital, pasi tesha, ilaçe e ushqim i kemi vetë”, shprehet Dilaver Metaj, pacient. Donika Alushani, drejtuese e qendrës spitalore, shprehet se shkak është bërë vonesa e regjistruar nga grosistët farmaceutikë, që duhet të kishin realizuar tashmë furnizimin e depos së spitalit. Gjithashtu drejtoresha premton se sigurimi i medikamenteve do të bëhet brenda një kohe mjaft të shkurtër. Sipas Alushanit, spitali rajonal një pjesë të ilaçeve si dhe shiringat i ka siguruar me blerje të drejtpërdrejtë nga drejtoria e spitalit. Të ardhurat e këtyre blerjeve janë siguruar nga faturat që vilen prej vizitave dhe recetave që ofrojnë mjekët e grupit spitalor Fier, të njohura ndryshe si të ardhurat dytësore. “Vonesat e medikamenteve në spital duhen pranuar që kanë sjellë shqetësim. Kanë qenë disa ilaçe që nuk u janë dhënë pacientëve, pasi mungonin. Antibiotikët nuk kanë munguar. Disa qetësues, si dhe disa kategori ilaçesh me të vërtetë që nuk kanë qenë gjendje për disa ditë. Mungesat kanë ardhur si rezultat i vonesës së grosistëve”, ka thënë drejtoresha Donika Alushani.

Popularity: 2% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com