Policia Tatimore e Fierit ka bllokuar depot e nënprodukteve të naftës të shoqërisë “ARMO”. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, kur policët tatimorë i kanë vënë shiritin uzinës së përpunimit të naftës në Fier, kombinatin e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh dje pontilin e Vlorës nga ku bëhet furnizimi i rafinerive. Arsyeja për këtë veprim të tatimeve është, mungesa e një autorizimi akcize për magazinat tatimore. Si rezultat këto tre pika të kompanisë “ARMO”, kanë qenë të bllokuara gjatë gjithë ditës së djeshme. Situata ka qenë më e nxehtë në Fier, kur tatimet janë ndeshur me kundërshtimin verbal të punonjësve të “ARMO”. Debatet kanë vijuar të ashpra gjatë gjithë ditës deri kur në vendngjarje kanë ardhur forca të shumta të policisë së shtetit të cilat kanë ndërhyrë për qetësimin e situatës. Por që të dyja palët duket se e kanë pasur të vështirë të bisedojnë qetësisht, për shkak edhe të rrethanave të krijuara. Me dhjetëra punëtorë të cilët kishin shkuar dje në punë kanë qëndruar për orë të tëra në pritje të një zgjidhjeje, ndërsa disa prej tyre kanë qëndruar brenda ambienteve për shkak edhe të vendosjes së shiritave në derën hyrëse.
Tatimet
Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, tregohen edhe hapat ligjorë që janë ndjekur për bllokimin e depozitave të naftës së “ARMO”-s. “Ky veprim është realizuar në bazë të urdhrit të bllokimit të lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj. Tatimpaguesi “ARMO” sh.a nuk është i pajisur me autorizim si tatimpagues akcize si dhe nuk ka miratim të magazinave tatimore sipas kërkesave që përcakton ky Ligj. Tatimpaguesi “ARMO” sh.a gjithashtu nuk ka plotësuar detyrimin ligjor si tatimpagues akcize për vendosjen e matësve në të gjitha pikat e hyrjes, përpunimit dhe daljes së lëndëve të para, prodhimit gjysmë të gatshëm dhe atij të gatshëm. Kërkesat e herë pas hershme të administratës tatimore për plotësimin e këtyre detyrimeve ligjore nga ana e këtij tatimpaguesi nuk janë marrë parasysh që prej dhjetorit 2008. Gjithashtu, duam të sqarojmë se nga ana e saj Administrata Tatimore nuk ka penguar pajisjen e asnjë tatimpaguesi të akcizës me autorizimet përkatëse vetëm nëqoftëse ato janë të paplotësuara me të gjitha të dhënat dhe elementet që përcakton Ligji “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”. Tatimpaguesi në fjalë prej shumë kohësh vazhdon të mos plotësojë dokumentacionin e duhur ligjor, për këtë arsye u përsërit veprimi i bllokimit të depove të nënprodukteve të naftës ashtu siç ndodhi dhe në maj 2009. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve falënderon Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier për frymën e bashkëpunimit dhe mbështetjen e treguar në realizimin e këtij veprimi ligjor të Administratës Tatimore. Administrata Tatimore mbetet plotësisht e angazhuar për zbatimin i ligjit tatimor në mënyrë të barabartë dhe të drejtë për çdo tatimpagues. Luftimi i evazionit fiskal dhe i akteve korruptive në të gjitha format dhe trajtat e tyre mbeten prioritet i punës sonë”.
Reagon “ARMO”: Bllokimi është i jashtëligjshëm
Pas sekuestrimit nga Tatimet ka reaguar menjëherë kompania “ARMO”. Në njoftimin e saj theksohet se çuditërisht raporti i kontrollit është ndryshuar brenda pasdites së vonë të ditës së shtunë. Sipas “ARMO”-s në kundërshtim me procedurat tatimore, “urdhri i sekuestrimit është firmosur vetëm nga Drejtori i VIP dhe ai rajonal i Tatimeve. Ndërkohë që sipas ligjit ky dokument duhet të mbante edhe firmën e Drejtorit të Përgjithshëm dhe atij të Hetimit”. Kjo sipas kompanisë, indirekt tregon se këta dy drejtues nuk kanë qenë dakord me konkluzionet e raportit. Por kompania nënvizon një tjetër aspekt të çuditshëm të tatimorëve. Sipas saj: “Në orën 6 të pasdites, raporti i kontrollit është mbyllur me sukses, pra pa vërejtjet që çuan në hapin e fundit. Por i ndryshëm ka qenë dokumenti me anë të së cilët policët tatimorë janë kthyer në objektet e kompanisë në orën 10 të mbrëmjes së të shtunës. Në këtë orë të mbrëmjes në një ditë pushimi, asnjë nga punonjësit e administratës së kompanisë nuk ka qenë në punë. Koha dhe mënyra e veprimit nga tatimorët, është e pakuptimtë dhe dashakeqe”. Megjithatë, kompania në njoftimin e saj thekson se: “E gjithë procedura e ndjekur dhe konkluzionet e raportit nuk kanë të bëjnë me kompaninë tashmë private por me dokumentacionin që “ARMO” duhet të kishte plotësuar që në kohën që ishte kompani shtetërore. Depot e bllokuara nga tatimorët nuk janë krijuar pas privatizimit të saj, por që në kohën kur kompania ishte shtetërore dhe mungesa e dokumentacionit ka qenë që atëherë. Kompania “ARMO” është marrë në dorëzim nga shteti me mangësi në dokumentacion. I gjithë dokumentacioni që mungon është dorëzuar prej disa kohesh dhe po pritet miratimi i tij nga institucionet përkatëse”. Sipas njoftimit, duket si paradoksale, por Tatimet, duhet t’i kishin bllokuar me kohë këto depozita që në kohën kur “ARMO” ishte kompani shtetërore dhe i kishte depot pa autorizim akcize dhe magazinë tatimore.
Drejtori i rafinerisë Bledar Myrtaj, tha se dëmi që po i shkaktohet kompanisë vetëm në një ditë kalon shifrën e 5 milionë eurove, ndërsa kostoja e mëtejshme e bllokimit që sipas tij është arbitrar, do të jetë shume herë me e lartë. Por urdhri i së shtunës mbërriti rreth orës 22.00 sipas drejtorit është kryekëput o jashtëligjshëm, pasi në fundjave administrata e rafinerisë është pushim. “Drejtoria Rajonale e Tatim Taksave, Fier ka bllokuar rafineritë e Ballshit dhe Fierit e si pasojë dhe punën në Vlorë. Arsyeja është se “ARMO” nuk ka autorizim akcize për magazinat tatimore. Ky ndalim ka ardhur pa asnjë paralajmërim paraprak pavarësisht se pronarët i kanë paguar shtetit për blerjen e kompanisë pa dokumentacionet përkatëse”. Drejtori ka deklaruar se kanë çuar të gjitha dokumentet dhe janë në pritej të miratimit nga drejtoritë përkatëse. “Në fillim ne menduam se do të plotësoheshin pa problem dokumentet dhe pranuam të vijojmë punën edhe në këto kushte. Tashmë kemi rreth shtatë muaj që presin dhe që po punojmë nën të njëjtin presion. Ne edhe sot kemi probleme me certifikata pronësie. Kompania nuk kishte certifikata mjedisore dhe ne i plotësuam. Më pas ne plotësuam dokumentacionin për akcizën por shteti nuk po na i nxjerr dokumentet dhe po na vonon dhe kjo nuk është për fajin tonë. Për këtë që po na ndodh shteti do të mbajë përgjegjësi, sepse vetëm sot dëmi na shkon në 5 milionë euro. Për këtë ne do ta çojmë çështjen në gjyq”. Sipas drejtorit, 1500 punonjës të “ARMO” mbetën pa punë ndërsa rafineria do të dalë jashtë përdorimit për shkak të procesit teknologjik, i cili nuk lejon që sasia e prodhuar e bitumit, të qëndrojë në depozita. “Pas një periudhe të caktuar kjo sasi bitumi ngrin për shkak të ftohjes dhe për pasojë depozitat e mbajtjes së tij në temperatura të larta deri në 200 gradë dalin jashtë përdorimit”.
Popularity: 1% [?]




