Policia shpall në kërkim tre nga organizatorët e udhëtimit që përfundoi me tragjedi. Tragjedia e ndodhur në Butrint të Sarandës është organizuar në Fier. Ky është versioni që del prej policisë lokale, që përgjatë gjithë natës së të dielës dhe gjatë ditës së hënë ka punuar për të gjetur organizatorët e trafikut. Burimet zyrtare të Policisë së Fierit tregojnë se pas shkëmbimit të informacioneve me Policinë e Sarandës ka rezultuar se të katër trafikantët që kanë organizuar kalimin e paligjshëm të kufirit janë me banim në Qarkun e Fierit. Nëndrejtori i Policisë së Qarkut, Elidon Veizi, në një prononcim për ka thënë se policia ka ushtruar kontroll në banesat e katër trafikantëve. “Një prej organizatorëve të këtij trafiku është arrestuar, ndërkohë që tre të tjerët janë shpallur në kërkim. Ne kemi ngritur grup të posaçëm pune për këtë ngjarje, i cili jo vetëm që ka dokumentuar të gjithë informacionin e mbledhur nga policia lidhur me rrjetin e trafikut, por është vënë dhe në kërkim të autorëve që ende nuk janë ndaluar. Kemi pyetur të afërm të trafikantëve, ndërkohë që kemi marrë në pyetje edhe familjarët e të 13 klandestinëve që janë nga tria rrethet e Qarkut të Fierit, nga Lushnja, Fieri dhe Mallakastra”, tha nëndrejtori Veizaj. Postblloqe policore janë ngritur kryesisht në rrugën kombëtare me drejtim qytetin e Beratit, pasi edhe trafikantët rezultojnë të jenë banorë të fshatit Kuman dhe qytetit Roskovec, që ndodhen përgjatë këtij aksi. Ndërkohë që nën survejim të policisë janë edhe banesat e të trafikuarve.
Tre trafikantët e shpallur në kërkim nga policia janë Hyqmet Sollaku me banim në fshatin Kuman të rrethit Fier, Albert Gega nga i njëjti fshat dhe Brahim Madhi, lindur në fshatin Luar dhe banor i Roskovecit. Emri i personit që është ndaluar dhe që rezulton, sipas policisë së Fierit, të jetë trafikanti i katërt mbahet i fshehtë për arsye hetimi. Ky trafikant është arrestuar disa orë pas ngjarjes dhe është dërguar menjëherë drejt Komisariatit të Policisë së Sarandës për t‘u marrë në pyetje.
Sipas burimeve të Policisë së Fierit, e cila ka ngritur të gjithë skemën e trafikut të klandestinëve, mësohet se lëvizja e fundit drejt Greqisë në mënyrë jo të ligjshme është organizuar prej afro një jave, ndërkohë që dy ditët e fundit është bërë grumbullimi i klandestinëve. Trafikantët, të cilët kanë kohë që merren me këtë trafik, kanë mundur të mbledhin numrin e nevojshëm të “klientëve” dhe mësohet të jenë nisur ditën e diel drejt Sarandës, për t‘u larguar më pas gjatë natës drejt Greqisë. Të afërm të klandestinëve kanë treguar për policinë se për një largim drejt shtetit grek në mënyrë klandestine, çdo person duhej të paguante nga 1700 deri në 2000 euro. “Në fillim secili nga ata ka paguar 850 euro dhe pjesa tjetër do të paguhej kur të kapërcenin kufirin shqiptar dhe kur të kishin siguruar se nuk do të kapeshin nga policia”, thonë burimet nga zyra e antitrafikut të Fierit.





October 21st, 2008 me 6:38 pm
Si nuk degjuam dicka te bukur vetm trafiqe vrasje apo vetvrasje gjynah per njerezit se keta jane ber miljonera mjer njerezit qe humbasin jeten!