Kategoria | Lajme

Ujësjellësi, ish-drejtuesit akuzohen për shkelje financiare

Auditi i prefekturës, drejt përfundimit të kontrollit në këtë ndërmarrje

Kontrolli i Brendshëm i Prefekturës së Fierit është duke përfunduar raportin e auditit të kryer mbi Ndërmarrjen e Ujësjellësit të Fierit. Raporti, i cili është në përfundim dhe është kryer pas vëzhgimit të raportit paraprak, ka nxjerrë mjaft shkelje dhe abuzime të kryera nga drejtuesit e Ujësjellësit.

Lajmi konfirmohet zyrtarisht për gazetën “Shqip” nga kreu i Auditit të Brendshëm në Prefekturën e Fierit, Dervish Baraj, i cili thotë se, edhe pas observacionit të shumë shkeljeve, sërish në raportin përfundimtar të kontrollit të Ujësjellësit prezantohen mjaft abuzime të kryera në këtë ndërmarrje. Kontrolli financiar dhe administrativ ndaj Ujësjellës Kanalizimeve Fier ka nisur në fund të vitit 2008, ndërkohë që ditët e para të janarit, drejtuesit e kësaj ndërmarrje u njohën me raportin paraprak. Pas shqyrtimit të këtij prag raporti, drejtuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit kanë depozituar pranë Prefekturës së Fierit kundërshtimet përkatëse, me justifikimet e dokumentuara për disa nga shkeljet e konstatuara. Por formulimi i raportit përfundimtar jo vetëm që ka rrëzuar kundërshtimet e ngritura, por ka prezantuar të gjitha shkeljet e regjistruara nga administrata e Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Kreu i Auditit në Prefekturën e Fierit, Dervish Baraj, deklaron se është kontrolluar e gjithë puna e periudhës 2005-2007 në Ndërmarrjen e Ujësjellësit.

“Gjatë kësaj kohe, administrata drejtuese dhe krerët e Ujësjellësit kanë kryer mjaft shkelje. Duhet përmendur se shkeljet e konstatuara nga kontrolli ynë kanë qenë të natyrës financiare, si dhe shkelje administrative. Shuma abuzive e gjetur si shkelje shkon në disa dhjetëra milionë lekë, ndërkohë që dhe shkeljet financiare janë të mëdha”, shprehet Baraj. Ai sqaron se shkelje janë gjetur si në zërin financiar të fondeve për investime edhe në atë të pagave dhe dietave. Ndërkohë që në Ujësjellësin e Fierit, kontrolli i ushtruar për periudhën 2- vjeçare 2005-2007 ka konstatuar edhe emërime në punë në kundërshtim me Kodin e Punës. Përveç pasqyrimit të shkeljeve të gjetura në Ndërmarrjen e Ujësjellësit, auditi i prefekturës do të propozojë edhe masat përkatëse për abuzuesit. Mësohet se të implikuar në këtë abuzim janë gjashtë persona, kryesisht drejtues të administratës së kaluar të kësaj ndërmarrjeje. Sipas kreut të Auditit të Fierit konfirmohet se për personat e gjetur me shkelje do të kërkohet ndjekje penale, si dhe dëmshpërblim.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com