Kategoria | Lajme

Zjarr në pusin e naftës, shpëtojnë pa dëme punëtorët

Ndërhyrja e zjarrfikësve shmangu shpërthimin e një depozite me gaz të lëngshëm.
Një zjarr ka rënë në një pus nafte në fshatin Zharrzë të Rrethit të Fierit. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë se në flakë është përfshirë një sipërfaqe e madhe e zonës, që shfrytëzohet për nxjerrje nafte. Në vendngjarje kanë shkuar përveç dy mjeteve zjarrfikëse të kompanisë së huaj të naftës “Banker‘s petroleum” e të “Albpetrol” sh.a., edhe dy mjete të tjera të Repartit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në Prefekturën e Fierit. Shkak i rënies së zjarrit në këtë zonë të rrezikshme, sipas policisë, si dhe forcave zjarrfikëse, mësohet të jetë bërë një defekt teknik në makineritë e kompanisë kanadeze të naftës “Banker‘s Petroleum”. Sipas burimeve të informacionit nga vendi i ngjarjes, zjarri është shfaqur rreth orës 17:30, gjatë manovrimeve në një pus pranë sektorit VII në Zharrzë. Fatmirësisht flakët nuk kanë dëmtuar punonjësit. Masat e para për parandalimin e flakëve janë marrë nga drejtuesit e kompanisë “Banker‘s petroleum” dhe më pas është kërkuar ndihma e zjarrfikëses së “Albpetrolit” dhe të repartit kundra zjarrit në Fier. Katër mjete kanë arritur që për afro një orë të vënë nën kontroll flakët dhe t‘i lokalizojnë ato edhe pse sipërfaqja e përfshirë nga zjarri kishte prirje për të favorizuar atë si shkak i përmbajtjes së gazit, si dhe naftës. Zjarri mësohet të ketë rënë në territorin e pusit, në një makineri. Pas shuarjes, specialistët kanë konstatuar se dëmet e shkaktuara nuk kanë qenë të mëdha. Por burime nga kompania “Albpetrol” pohuan se zjarri mund të kishte pasoja, pasi pranë makinerisë ka pasur një rezervuar me gaz propan, që në rast shpërthimi do të shkaktonte dëme serioze.

Gjatë sezonit të verës, mjaft puse nafte në prodhim dhe të fondit të ndalur u përfshinë nga zjarri, ndërkohë që dy puse të kompanisë “Albpetrol” sh.a., vetëm brenda një muaji janë përfshirë nga fontanat.

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu