Kategoria | Politike

Liberalizimi i vizave, qeveria nis raport shtesë

Në dokument, ndonëse përditësohen arritjet, shmanget përgjigjja për Lazaratin. Qeveria shqiptare pritet të përballet në mbledhjen e 21 prillit të delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, me një raport të sajin në lidhje me zbatimin e udhërrëfyesit të BE-së për liberalizimin e vizave. Në një material prej 6 faqesh, i cili mban autorësinë e ambasadës shqiptare në Bashkimin Europian, bëhen të ditura arritjet sipas Tiranës zyrtare në këtë fushë. Në takimin e 21 prillit pritet që eurodeputetët të përballin dy dokumentet: raportin e ekspertëve të Komisionit Europian (i botuar në “Shqip” më 12 prill) dhe atë të qeverisë shqiptare, të cilin gazeta “Shqip” e ka siguruar dhe që përmban të dhënat e rifreskuara nga raporti i monitorimit deri më 9 prill. Dokumenti i qeverisë shqiptare, i cili është dorëzuar në Parlamentin Europian nga ambasada jonë në BE, përmban arritjet e bëra nga Tirana zyrtare për 4 blloqet e udhërrëfyesit, por një ndryshim thelbësor është se në këtë dokument nuk është përmendur fare çështja e kanabisit të kultivuar në Lazarat, i cili me hollësi është trajtuar në dokumentin e ekspertëve të Komisionit Europian.
Siguria e dokumenteve

Sipas qeverisë shqiptare, numri i përgjithshëm i aplikimeve për letërnjoftime është 2038000, numri total i letërnjoftimeve të shpërndara në zyrat e gjendjes civile është 2014000, ndërsa në duart e qytetarëve janë dorëzuar gjithsej një milion e tetëqind e tridhjetë mijë karta identiteti. Në lidhje me pasaportat biometrike, sipas raportit shtesë që është dorëzuar në sekretarinë e Komisionit Europian, 605000 qytetarë kanë aplikuar për pasaporta, ndërkohë që ministria ka shpërndarë në komisariate 588000 copë.

Kurse numri i shpërndarë te qytetarët është 497 mijë. Pa shpërndarë kanë mbetur 91 mijë pasaporta biometrike.
Menaxhimi i emigracionit

Për këtë aspekt, dokumenti thekson se është implementuar ligji për të huajt, si dhe janë nxjerrë urdhëresat për ta vënë në zbatim atë. Ndërkaq, është krijuar regjistri kombëtar për të huajt. Gjithashtu, në raport theksohet se është ndërtuar dhe një qendër grumbullimi (kamp) për emigrantët e paligjshëm, ndërtuar në mesin e shkurtit. Për menaxhimin e kufirit në material theksohet implementimi i database-s për të gjitha hyrjet dhe daljet në pikat kufitare. Ndërkaq janë vendosur kamera që transmetojnë live nga 7 pika kufitare dhe 3 qendra të identifikimit të patateve.
Siguria dhe rendi publik

Ky bllok, që është më problematiku, është trajtuar në mënyrë skematike nga dokumenti i qeverisë. Në këtë pikë janë renditur masat ligjore të marra dhe ndërtimi i një komiteti të posaçëm të drejtuar nga Kryeministri. Ndërkaq, për pastrimin e parave cilësohet si arritje miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit për konfiskimin, ose siç quhet në Shqipëri “Ligji Antimafie”. Në këtë raport është vendosur statistika tashmë e publikuar për sekuestrimin e 3736000 eurove nga llogaritë bankare sipas ligjit të pastrimit të parave. Ndërsa për luftën ndaj trafikimit të drogave, në raport theksohet se gjatë vitit 2009 janë kryer 12 operacione, ku janë arrestuar 18 persona. Bën përshtypje që në këtë dokument nuk është përmendur fare çështja e Lazaratit. Ekspertët këmbëngulin në dokument se është shumë e rëndësishme që të koordinohen përpjekjet në drejtim të luftës ndaj kultivimit të kanabisit. “Zona kryesore e prodhimit të kanabisit, fshati i Lazaratit (rajoni i Gjirokastrës), mbetet ende kryesisht i pakalueshëm nga forcat e policisë dhe vazhdon të jetë një problem për sigurinë publike në një zonë kaq të rëndësishme”, thuhet në raportin konfidencial. Në dokumentin e dorëzuar nga qeveria shqiptare në Parlamentin Europian, në lidhje me bllokun e 4-t që janë të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet me jashtë, janë të renditura vetëm ligji kundër diskutimit dhe aksion-plani në ndihmë të popullsisë rome.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com