Kategoria | Politike

Loja me avokat shtyn përsëri gjyqin e Ruzhdies

Fier- Dështon seanca e pestë radhazi për manipulimet e 28 qershorit. Edhe seanca e pestë gjyqësore për manipulimin e zgjedhjeve në fshatin Ruzhdie është shtyrë. Motivi ka qenë i njëjtë: mungesa e avokatit të komisionerëve të djathtë, të cilët janë vënë nën gjykim për manipulim dhe falsifikim. Seanca e radhës ishte njoftuar për t’u mbajtur në orën 13:30 të së hënës, por ka nisur me 20 minuta vonesë, pasi dy avokatët mbrojtës, Vladimir Cjapi dhe Rozeta Plaku ishin në një gjyq tjetër. Pas ardhjes së tyre në sallën e gjyqit kanë hyrë edhe dy avokatët e tjerë mbrojtës Zenun Hajdërmataj dhe Toto Avdia. Në sallën e gjyqit ka hyrë edhe prokurori i çështjes, Çlirim Sino, ndërkohë që për herë të parë në sallën e gjyqit ka qenë edhe oficeri i Policisë Gjyqësore, Rikard Loloçi, i cili ka ndjekur nga afër procedurën e gjatë dhe voluminoze të hetimit deri në hapjen e kutive. Por njeriu i vetëm në Shqipëri që ka mundur të hapë kutitë e votimit të 28 qershorit nuk ka folur dot dje, pasi seanca nuk mund të zhvillohej pa praninë e avokatëve të komisionerëve të djathtë. Komisionerët e PD-së dhe PR-së, Bujar Kararaj, Shezaim Kararaj, Veledin Myftaraj, Robert Myftaraj dhe Pëllumb Myrtaj kanë qenë të pranishëm në sallë, sikundër komisionerët e majtë, Pëllumb Ferzaj, Ervin Myftaraj dhe Qazim Aliaj, si dhe një fshatar i zonës që akuzohet për falsifikim. Por në sallë nuk kanë qenë i pranishëm avokati Baftjar Shehu, që mbron dy nga komisionerët e djathtë dhe seanca nuk mund të vazhdonte. Prokurori ka kërkuar që seanca të mos vazhdojë dhe gjykata të marrë masa që të tilla probleme të mos ndodhin më. Kështu, është vendosur pezullimi i seancës dhe është caktuar data 9 qershor për vazhdimin e saj. Të pesta seancat e gjyqit të Ruzhdies janë shtyrë, herë për mungesën e të pandehurve dhe herë për mungesën e avokatëve të tyre.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com