Kategoria | Politike

Etiketat : , ,

“Luftë” me dosje në PD-në e Fierit

Gara për kreun e ri të degës së partisë në pushtet fut në lojë edhe prokurorinë. Një leje ndërtimi e lëshuar në vitin 2000 nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Rrethit Fier ka çuar në përplasje anëtarët e degës së Partisë Demokratike në qytet. Përplasja ka shkuar deri në dyert e gjykatës dhe rrezikon të përfundojë me nisje hetimesh nga ana e prokurorisë së rrethit. Gjithçka ndodh pak ditë përpara se strukturat e PD-së së Fierit të zgjedhin krerët e tyre të rinj dhe kur kanë nisur ethet e kandidimit për deputetë.

Këshilli i Qarkut, ku mbajnë poste drejtuese shumë nga figurat më të spikatura të PD-së së Fierit, ka kërkuar që kryetari aktual i degës së PD-së, Ferdinand Murati, të paguajë 3,4 milionë lekë, për një leje ndërtimi të dhënë në mënyrë të paligjshme nëntë vjet më parë. Kreu i zyrës juridike në Këshillin e Qarkut të Fierit, Arap Shkopi, thotë se më 20 shkurt të këtij viti, zyra e Përmbarimit kërkoi nga Këshilli i Qarkut të paguante shumën e sipërpërmendur, pasi prej këtij institucioni ishte lëshuar dokumenti i lejes së ndërtimit, që më pas ka rezultuar se ishte dhënë në mënyrë abuzive. Arap Shkopi, sqaron se Përmbarimi kishte kërkuar ngrirjen e llogarisë bankare të Këshillit të Qarkut, duke rrezikuar pagat e 60 punonjësve dhe për këtë arsye çështja është ankimuar në gjykatë.

“Gjobitja” është bërë për një leje ndërtimi që i është dhënë në muajin korrik të vitit 2000 shtetasit Spartak Lajthia, banor i qytetit të Patosit. Ky i fundit ka ndërtuar në qendër të qytetit një lokal dykatësh, në bazë të lejes së firmosur nga kreu aktual i PD-së, Ferdinand Murati, në atë kohë kryetar i këshillit të rrethit. Por leja e ndërtimit u shfuqizua nga KRTRSH-ja në vitin 2003 dhe në vitin 2004 policia ndërtimore shkatërroi lokalin e Lajthisë. Ky i fundit iu drejtua Gjykatës së Fierit dhe më pas Gjykatës së Apelit në Tiranë. Vendimi gjykatës ka qenë që këshilli i rrethit, sot këshill qarku, të dëmshpërblejë qytetarin. Vendimi në fjalë i është përcjellë zyrës së Përmbarimit dhe kjo e fundit ka kërkuar këtë vit ekzekutimin e vendimit.

Por këshilli i qarkut ia faturon të gjitha shkeljet personit që ka firmosur lejen e parregullt të ndërtimit, Ferdinand Muratit, i cili e konsideron këtë veprim një sulm politik, në prag të zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike.

Murati thotë se vendimi për këtë leje ndërtimi është marrë në mënyrë kolegjiale nga të 17 anëtarët e KRT-së së Rrethit, sot KRT e qarkut. “Për tre vjet ky urdhër është mbajtur në zyrën e Përmbarimit dhe del befas pak orë para zgjedhjeve në PD-në lokale”, thotë ai.

Zgjedhjet që kanë përfshirë degën e Partisë Demokratike në Fier e kanë ndarë anëtarësinë e kësaj partie në dy grupe, që mbështesin dy kandidatë për kryetar. Afrimi i zgjedhjeve për kryetar të degës ka bërë që një prej pretendentëve të sulmojë garuesin tjetër, duke shkuar deri në akuza për abuzim dhe shpërdorim detyre.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com