Kategoria | Politike

Etiketat : , ,

Ruçi në Fier: Sali Berisha është “burri i Ruzhdies”

Tri ditë para protestës së 30 prillit, kryetari i partisë më të madhe opozitare, Edi Rama, ka zgjedhur Fierin për të zhvilluar protestën e radhës. Ai e ka përqendruar fjalën e vet te kriza ekonomike dhe që zanafillën e saj e ka te votat e vjedhura të qershorit të kaluar. “Në Elbasan kam takuar një biznesmen, i cili më 28 qershor kishte votuar për PD-në… Konkretisht, ish i djathti më tha: Mirë juve u vodhi votën, por me tokën, të ardhurat, pagën, biznesin, pronën tonë ç’pati Berisha?”, u shpreh Rama para qytetarëve të Fierit. Sipas tij, kjo situatë e krijuar është një arsye pse “shumë të djathtë do të jenë bashkë me ne në protestën maratonë të 30 prillit”. Në vijim të fjalës së tij, Rama është ndalur te faturat e ujit dhe energjisë që i shpërndahen komunitetit, që sipas tij janë të mbifryra me qëllim fshehjen e vjedhjes që bën qeveria dhe segmentet e saj. Ndërkohë kreu i Asamblesë së PS-së, njëkohësisht kryetari i grupit të deputetëve, Gramoz Ruçi, e ka cilësuar Sali Berishën si “burri i Rruzhdies”. “Unë ju them se dhe durimi ynë ka një fund. Të mos luajë asnjë hajdut dhe as zëvendësi i tij më kryehajdut me durimin e qindra-mijëra njerëzve. Berisha tashmë është ‘burri i Ruzhdies’ së famshme, që shfaq fare hapur pushtetin hajdut të tij”, ka thënë Gramoz Ruçi. Gjithashtu, në protestën e Fierit ka folur edhe Spartak Ngjela, i cili ka bërë një perifrazim simbolik të protestës së 30 prillit. “Në 30 prill do përplaset fakti historik me vetë historinë. Dhe kur ndodh kjo, nuk ka asnjë Kryeministër tiran që t’i rezistojë. Sot ne po vuajmë tiraninë e një pushteti që na ka grabitur. Mbi të gjitha kjo tirani ka vjedhur votat dhe i mban ato të fshehura në tunele. Qeverinë e Berishës nuk e pranon Europa dhe Perëndimi”, ka thënë Ngjela. Pjesëmarrës në protestën e së martës në Fier kanë qenë të gjithë deputetët e PS-së në shkallë qarku. Kanë folur duke denoncuar situatën ekonomike dhe sociale në Fier, Lushnjë e Mallakastër deputetët Albert Çaçi, Fatos Tushe, Arben Çuko, Armando Subashi etj. Po dje, letra e kongresmenit amerikan, Delahunt, për Kryeministrin Sali Berisha, është lexuar nga Partia Socialiste nën dritën e një mesazhi kritik për qeverinë aktuale. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në selinë rozë, Arta Dade, deklaroi dje se përmbajtja e letrës dhe adresimi i saj te kreu i qeverisë dëshmon për koherencën e qëndrimeve të opozitës dhe për atë që është faktori kyç i zgjidhjes së krizës së tanishme politike në vend. Si pikë qendrore në interpretimin socialist është marrë theksi i vënë nga kongresmeni amerikan, njëkohësisht kryetar i Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në realizimin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com