TIRANË- Partia Socialiste ka mbledhur kryesinë, e cila ka në axhendë vendimin për pjesëmarrjen ose jo të PS-së në zgjedhjet e pjesshme të 15 Nentorit. Ndonëse për këtë vetë lideri i PS-së, Edi Rama ka deklaruar se pjesëmarrja do të ishte e pakuptimtë, si një zgjatim i procesit të kontestuar të 28 qershorit, ky vendim do të merret sot nga Asambleja.
Mësohet se tjetër pikë e diskutimit gjatë mbledhjes do të jetë edhe thirrja e Asamblesë Kombëtare, si organizimi më i lartë vendimmarrës për të miratuar vendimin e kryesisë.
Paraditen e sotme, kreu i PS-së u shpreh i gatshëm për të kontribuar për procesin e integrimit të vendit, duke bërë të ditur se “PS është e gatshme të hyjë në parlament me ngritjen e komisionit hetimor për zbardhjen e zgjedhjeve”. Ai shtoi se protestat nuk do të përfundojnë dhe sipas agjendës të premten është protesta e Beratit.
“Ne jemi të gatshëm të japim ndihmën tonë në integrimin e vendit, por transparenca e zgjedhjeve është receta e vetme për të ndalur degradimin e pushtetit”, tha Rama. Ndërsa shtoi se “mbajtja peng e kutive thellon krizën e trefishtë dhe rrit dëmin politik dhe ekonomik të vendit.
PS po vazhdon mbledhjen e firmave dhe deri tani njoftoi Rama janë bërë afro 50 mijë persona që kërkojnë hapjen e kutive. Ai u shpreh se “nuk zmbrapsemi dhe nuk lodhemi. Apeli ynë për Sali Berishën është të vërë interesin e vendit mbi interesin e pushtetit familjar dhe transparenca e zgjedhjeve është domosdoshmëri për një parlament legjitim”.
Popularity: 1% [?]




