Kategoria | Politike

Etiketat : , , , ,

Vrasja e pazbardhur e Xhindit

Hetimet me grupin më të mirë të ekspertëve nuk kanë mundur ta vënë gishtin mbi një autor. Kur ka kaluar plot një vit nga koha e një prej ekzekutimeve më misterioze të ndodhura vitet e fundit, dhe askush nga organet kompetente nuk mund të na thotë asgjë rreth autorit të dyshuar, nuk ka se si të mos themi se eliminimi i Fatmir Xhindit klasifikohet si një vrasje pa autor. E mbetur e hapur, dosja deri më tani nuk ka autor dhe rrezikon të mbetet e tillë deri në fund. Pikërisht ditën e ngjarjes në deklaratën e saj, Ministria e Brendshme tha se do të angazhonte për hetimin e saj ekspertët më të mirë dhe herë pas here deklaroheshin pistat në të cilat hetohet, si edhe fakte që, sipas drejtuesve të policisë apo edhe titullarëve të dikasterit të rendit, ekspertët ndodheshin fare pranë zbulimit të autorit të vrasjes. Ditët iknin dhe tani kur kanë kaluar plot 365 të tilla, “me kokën ulur” dhe në heshtje, pranohet se nuk kemi një autor të dyshuar për vrasjen e të ndjerit Xhindi. Kërkesat e vazhdueshme të familjarëve, por edhe presioni i Partisë Socialiste, duket se kanë rënë në vesh të shurdhër të organeve përgjegjëse për zbardhjen e vrasjes. Edhe largimi i drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi, pra zëvendësimi i tij me Hysni Burgajn, duket se nuk ka sjellë asgjë të re në hetimin e kësaj vrasjeje.
Vrasja

Kalendari shënonte 2 maj 2009, kur u ekzekutua në rrethana misterioze me 6 plumba automatiku deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Ngjarja ndodhi rreth orës 21.15, ndërsa deputeti i PS-së po hynte në shtëpinë e tij. Pikërisht në këtë moment mbi të është hapur zjarr nga persona të paidentifikuar. Policia deklaroi se ai ishte duke lëvizur në këmbë drejt banesës së tij. Pak para se të mbërrinte atje, mbi Xhindin u derdhën breshëri plumbash.

Nga faktet që zotëronte deri në atë moment policia, u tha se ngjarja nuk kishte qenë e rastësishme, por një atentat i planifikuar e i përgatitur me kohë. Atentatorët duket se e kishin pritur viktimën, pra ata kanë qenë në ndjekje të tij dhe atë mbrëmje gjetën rastin për ta ekzekutuar. Autorët zgjodhën edhe kohën për ta kryer atentatin, dhe duke përfituar nga errësira mundën të largohen menjëherë pas ekzekutimit të deputetit. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje dhe kreu veprimet hetimore, ndërsa organizoi edhe postblloqe në pikat hyrëse e dalëse të qytetit të Roskovecit, si dhe në akset rrugore Fier-Vlorë dhe Fier-Berat. Policia përjashtoi pistën e vrasjes për motive politike, por tha se arsyet e ekzekutimit të deputetit, për shkak të informacioneve të pakta që disponohen deri atëherë, mbeteshin enigmë. Deputeti Fatmir Xhindi po kthehej nga puna në pronat e tij në Kurjan dhe pak para se të mbërrite në shtëpinë e tij ai është qëlluar me armë zjarri. Menjëherë në ndihmë i kanë ardhur të afërmit, të cilët e kanë nisur për në spitalin e Fierit. Dëshmitarët kanë thënë se ai ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital.
Hetimi

Rreth dy javë pas ngjarjes, prokuroria pretendoi se kishte zbardhur rrugën që kishte ndjekur vrasësi pas kryerjes së krimit. Largimi nga vendi i ngjarjes i autorit të dyshuar, sipas prokurorisë, bazohej në një prej dëshmive të dhëna në organin e akuzës nga një punonjës policie, i cili kishte ndjekur me qen nuhatës gjurmët e vrasësit, mbrëmjen e 2 majit 2009. Ky punonjës ishte marrë në pyetje disa ditë pas ngjarjes nga grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Efektivi i policisë kishte pohuar se natën e krimit kishte ndjekur lëvizjet e qenit, i cili ka nuhatur gjurmët e autorit. Qeni i policisë, duke nuhatur ka ndjekur gjurmët deri në rrugën kryesore në qendër të Roskovecit. Sipas dëshmisë së punonjësit të policisë që survejoi qenin gjurmues, vrasësi i deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, kishte ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes. Atentatori i 49-vjeçarit kishte ecur normalisht rrugicave të zonës derisa, sipas tij, kishte dalë në rrugën kryesore që shpie në qendër të Roskovecit. Dyshohet se aty ka qëndruar një automjet për të marrë vrasësin bashkë me armën e përdorur në ekzekutimin e deputetit. Makina, sipas akuzës, që duhet të ishte drejtuar nga bashkëpunëtori, ka shërbyer për largimin e vrasësit nga vendi ku ai kishte lënë të vdekur në vend me 6 plumba deputetin e PS-së Fatmir Xhindi. Sipas grupit të hetimit, hetimet u përqendruan në katër pista. Pista e parë ishte përplasja e mundshme për çështje të pronësisë, e dyta ajo për shkak të cilësive të veçanta si deputet, e treta për çështje personale dhe e fundit një sherr i çastit.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com