Klubi fierak më në fund ka vendosur të pranojë dorëheqjen e kërkuar nga trajneri Gerdi Haxhiu. Lajmi është bërë i njohur nga drejtuesit e larë të klubit Apolonia. Ishte presidenti i kësaj skuadre, Endri Puka, ai që, nëpërmjet një komunikate për shtyp, ka lajmëruar largimin e teknikut të deritanishëm. “Pasi jam njohur me kërkesën për dorëheqje të trajnerit të parë të Apolonisë kam vendosur që ta pranoj dorëheqjen e zotit Gerd Haxhiu”, nënvizonte dje Puka, i cili më pas ka sqaruar edhe arsyet që çuan në marrjen e këtij vendimi. “Në bisedën që kemi zhvilluar së bashku, kemi rënë dakord se rezultatet dhe loja në 4 ndeshjet e fundit na impononin nevojën për ndryshim”, shtonte ai. Presidenti i klubit fierak ka zbardhur edhe arsyet e brendshme, që, sipas tij, kanë ndikuar në këtë paraqitje jo të mirë të skuadrës, ku më kryesoren ka cilësuar atë të prishjes së harmonisë. “Personalisht, jam i mendimit se në rezultatet negative ka ndikuar kryesisht prishja e atmosferës së grupit, e cila në sezonin e kaluar ka qenë arma jonë kryesore. Fatkeqësisht, disa futbollistë e kanë harruar këtë”, tha Puka. Numri një i klubit të Apolonisë ka theksuar gjithashtu se tashmë ka nisur edhe kërkimi për gjetjen e trajnerit të ri, i cili pritet të emërohet në dy-tri ditët e ardhshme. Sipas tij, gjatë ditës së djeshme janë paraqitur 6 kandidatura trajnerësh shqiptarë dhe pritet që listës së kandidatëve t‘u bashkohen edhe 3 kandidatura të huaja. Por, Apolonia nuk është i vetmi ekip i Superiores që largon trajnerin pas javës së 9-të. Po dje, edhe Flamurtari ka zyrtarizuar shkarkimin e trajnerit kroat, Zlavko Kovaçiç. Haxhiu e Kovaçiç e çojnë në pesë numrin e trajnerëve të larguar në këtë fillim-sezoni. Vetëm një javë më parë, Lushnja largoi trajnerin Sajmir Malko dhe emëroi në vend të tij, Vasil Bicin. Ndërsa që në javën e tretë i larguan trajnerët e tyre edhe Besa e Bylis. Kavajasit shkarkuan trajnerin Iljaz Haxhiaj, i cili i la vendin aktualit Ilir Daja, ndërsa ballshiotët larguan Faruk Sejdinin, vendin e të cilit e zuri Hysen Dedja.




