Në tri javët e para fierakët kanë pësuar vetëm një gol, edhe atë në sekondat e fundit në Shkodër. Apolonia ka pse të krenohet dhe të ndihet një nga skuadrat e javës së tretë, pasi bardhejeshilët kanë triumfuar mbi një kundërshtar të vështirë, edhe pse kanë luajtur në Fier. Për skuadrën e trajnerit Karishik duket se është prishur “syri i keq” dhe ekipi ka mundur që të përvijohet si një skuadër që me të vërtetë duhet vlerësuar për pretendimet që ka dhe për lojën që po zhvillon. E ndodhur në kuotën e 6 pikëve, Apolonia kryeson “karvanin” e skuadrave ndjekëse të kryesuesve, Dinamo e Besa, në një grup ku bëjnë pjesë edhe Skënderbeu i Korçës dhe Tirana kampione, duke plotësuar trion e skuadrave që kanë 6 pikë, 3 më pak se dueti kryesues.
Fierakët duken racionalë, pse jo të shfaqur paksa pragmatistë në ndeshjen kundër Shkumbinit, ku kanë marrë vërtet një rezultat të vështirë, por që kanë ditur ta menaxhojnë. Pas fitores, trajneri Karishik është shprehur se nuk ka qenë udhëzimi i tij loja mbrojtëse, por gjithsesi skuadra është detyruar nga rrethanat që ka aplikuar një lojë të tillë. Të gjitha rrethanat e ndeshjes të çojnë drejt një përfundimi final dhe të padiskutueshëm: Apolonia e ka merituar këtë fitore dhe ka bërë edhe një herë tjetër që të shtohen vlerësimet për të, si një skuadër ndaj së cilës nuk mund të bësh dot llogari të lehta.
Ka një skuadër që po profilizon një lojë të veçantë dhe, siç është vënë re në tri ndeshjet e para, është mjaft e vështirë që t’i shënosh gol. Kujtoni të vetmin pësim, që porta fierake e ka në Shkodër, atëherë kur kontrolloheshin sekondat e fundit të ndeshjes. Ky fakt ka një emër dhe një meritë të padiskutueshme. Pa dyshim është radhitja e mirë që skuadra bën në fushë, por edhe klasi që kanë treguar në këto javë futbollistët që përbëjnë boshtin e repartit mbrojtës, së bashku me portierin që po rritet nga ndeshja në ndeshje, Egland Haxho.
Natyrisht, nuk ka se si të mos veçohet mes emrave të tjerë cilësorë të mbrojtjes, ai i qendërmbrojtësit Mariglen Shoshi, që vazhdon të bindë në fushë dhe të përforcojë vlerësimin se mbetet një nga më të mirët e rolit të tij në futbollin shqiptar, duke shtuar ndjeshëm dhe “presionin” ndaj trajnerit Kuzhe me paraqitjet e tij. Mbrojtësi i fierakëve ka një portret të qëndrueshëm në çdo ndeshje, por ai spikat në veçanti në takimet e vështira.
Dhe nga Shoshi nuk pritet asnjëherë një ndeshje mesatare apo e dobët. Eshtë një normë me të cilën janë mësuar sportdashësit fierakë, por edhe një lajtmotiv i vetë futbollistit. Një konstatim i thjeshtë vihet re edhe në statistikat e para të këtij kampionati. Në tri javë, Shoshi, i cili ka qenë lojtari më i ndëshkuar sezonin e kaluar për Apoloninë, nuk është ndëshkuar asnjëherë. Kjo tregon për një pjekuri të mëtejshme të këtij futbollisti dhe për një punë serioze të tij.(Shekulli)
Popularity: 1% [?]




