Besa i rrëmben Teutës derbin dhe vendin e tretë në tabelën e klasifikimit Pritej si një mundësi për të shënuar fitoren e parë në kampionat, nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro, por ka rezultuar një ndeshje fatale për Partizanin. Bëhet fjalë për humbjen e djeshme 3-1, që të kuqtë kanë pësuar në Fier përballë Apolonisë. Mbrojtësi i ri, Renato Mallota, zhbllokoi avantazhin në favor të të kuqve në minutën e dytë, falë një asisti të Elis Bakajt, duke bërë të heshtë stadiumin “Loni Papuçiu”. Por një gjë e tillë krijoi thjesht një iluzion, që do të shuhej më pas, pasi Apolonia do të barazonte me anë të sulmuesit Mladen Bërkiç në minutën e 20, duke sjellë edhe qetësi në pankinën fierake. Më pas, kapiteni i vendasve, Klodian Asllani, lojtari që i dhuroi Apolonisë edhe fitoren në fazën e parë në kryeqytet, shënoi golin e dytë në minutën e 60-të. Në të 71-ën, Partizani do të mbetej pa portierin Orges Shehi, sepse ky i fundit la fushën e lojës pas një kartoni të kuq, të marrë si lojtar i fundit në një ndërhyrje të ashpër. Trajneri i Partizanit kreu një zëvendësim të detyruar, duke hedhur në fushë portierin zëvendësues, 19-vjeçarin Dashamir Xhika. Apolonia ngulmoi për të shënuar golin e tretë, atë të sigurisë, të cilin e gjeti me anë të Arbër Dhramit në minutën e parë shtesë të pjesës së dytë e që vulosi përfundimisht rezultatin 3-1 dhe humbjen e dytë sezonale të Partizanit ndaj Apolonisë, pas asaj në Tiranë (0-1). Partizani është ende në kërkim të fitores, që i mungon prej 15 javësh, që kur fitoi në Lushnjë me rezultatin e ngushtë 1-0 dhe humbja në Fier me Apoloninë, duket se i dha fund ecurisë shpresëdhënëse të të kuqve. Tashmë në kuotën e 10 pikëve, dy më pak se Lushnja e vendit të 11-të, situata te Partizani nuk është aspak e qetë, kur kanë mbetur edhe 17 javë për t‘u luajtur. E vetmja kënaqësi “estetike” e Partizanit ndaj Apolonisë janë statistikat e përballjeve historike, ku në 58 ndeshje “demat” kanë fituar 37 herë, kundrejt 9 fitoreve të fierakëve (12 barazime). Fitorja e fundit e Partizanit daton më 21 prill 2007. Ndërkohë që një tjetër takim interesant është luajtur dje në stadiumin “Niko Dovana”, ku Teuta ka pritur Besën në një ndeshje derbi. Por fundi ka qenë i hidhur për vendasit, të cilët janë dorëzuar pas golit të vetëm të Halitit. Mes tyre është luajtur një ndeshje me dy tablo, ku në pjesën e parë ishin durrsakët ata që dominonin lojën, duke krijuar shumë raste. Emiliano Vila ishte një rrezik permanent në zonën e portës së kavajasve. Ndërsa në të dytën skuadrat ndërrojnë rolet dhe është Besa ajo që ka iniciativën, krijon më shumë dhe është më e rrezikshme para portës. Aksionet e saj të shumta do të kurorëzoheshin me gol vetëm në minutën e 82, ku Haliti ka ndëshkuar pasigurinë e mbrojtjes së durrsakëve, pas një aksioni të bukur të shokëve të tij të skuadrës. Gjuajtja e tij e ka prekur paksa shtyllën dhe ka përfunduar në rrjetë. Në minutat e fundit durrsakët nuk kanë ç‘të humbasin, hidhen të tërë në sulm, por koha nuk mjafton.
Superiore / Java 16
Dje
Apolonia-Partizani 3-1
Bërkiç 20‘, Asllani 60‘, Dhrami 90‘+1‘/ Malota 2‘
Teuta-Besa 0-1
Haliti 82‘
Sot
Shkumbini-Elbasani E. Peza
Dinamo-Lushnja S. Çekaj
Bylis-Vllaznia E. Hoxha
Flamurtari-Tirana L. Jemini
*Të gjitha ndeshjet do të luhen në orën 13.30
Klasifikimi
Skuadra N Pikë
1. Vllaznia 15 31
2. Tirana 15 27
3. Besa 16 25
4. Dinamo 15 23
5. Teuta 16 24
6. Shkumbini 15 20
7. Elbasani 15 20
8. Flamurtari 15 20
9. Bylis 15 17
10. Apolonia 16 15
11. Lushnja 15 12
12. Partizani 16 10
Popularity: 1% [?]





December 24th, 2008 me 9:28 am
shyqyr qe fituan keta se kan lujt futboll sikur skan mbushur barkun me buke