Për Skënderbeun e Mirel Josës, ndeshja e nesërme ndaj fierakëve zgjidh shumë gjëra për të ardhmen
Sot korçarët do të jenë me veshë nga vendimet që do të marrë komisioni i disiplinës, në lidhje me ndeshjen e Shkodrës, nga ai takim i cili Skënderbeu kërkon tripikëshin në tavolinë. Nëse korçarëve do t’u jepet ky tripikësh, Skënderbeu do të ngjitet në kuotën e 36 pikëve dhe do ta presë më i qetë Apoloninë nesër në Korçë.
Ndeshja e kësaj jave për korçarët cilësohet një nga ndeshjet më vendimtare të sezonit, edhe për atë se, përveç fitores, kuqebardhëve nuk u bën punë asnjë rezultat tjetër. Për këtë, skuadra korçare është duke punuar shumë në këto stërvitje të fundit dhe vlerësimi për këtë 90-minutësh është maksimal. Në këtë ndeshje edhe sportdashësit mendojnë ta rikthejnë edhe një herë emocionet e ndeshjes me vlonjatët dy javë më parë, ku në stadium ishin të pranishëm mbi 7 mijë tifozë.
Sigurisht, shoqata e tifozëve edhe gjatë ditës së djeshme u ka bërë thirrje të gjithëve që të mërkurën të jenë në mbështetje të skuadrës të tyre të zemrës. Trajneri Mirel Josa e ka mendjen vetëm te kjo ndeshje, që vërtet vlen sa një sezon i tërë dhe Skënderbeu do të kërkojë që këtë herë të mos i zhgënjejë sportdashësit, ashtu siç bëri me Flamurtarin, kur humbi me rezultatin 1 0. “Eshtë një ndeshje e vështirë dhe këtë e dimë të gjithë. Apolonia nuk ka çfarë të humbasë dhe do të luajë për të marrë më të mirën ndaj nesh, por lojtarët e mi duhet ta tregojnë veten, pasi luajnë në shtëpi dhe nuk mund të gabojmë në dy ndeshje radhazi.
Nuk kemi më kohë që të lëshojmë dhe më vjen mirë që në këtë takim nuk do të kem asnjë mungesë. Kemi edhe një seancë stërvitore për të zhvilluar dhe, pavarësisht se koha ishte shumë e shkurtër për t’u përgatitur për këtë ndeshje, jam i bindur që do t’ia dalim. Mbi të gjitha, janë vetë lojtarët që kanë në dorë fatet e Skënderbeut në këtë ndeshje,” ka thënë Josa, trajner i cili duket se deri në ndeshjen e fundit të sezonit do të jetë në ankth, pasi lufta në fundin e tabelës në këtë moment është bërë më shumë se e egër.
Skënderbeu mezi gjen fushë stërvitjeje
Dje skuadra korçare ka vuajtur shumë për të gjetur një fushë stërvitjeje. Në orën 14:00, ekipi, nën drejtimin e Josës, ka udhëtuar drejt Polenës për të zhvilluar stërvitjen e radhës, ndërkohë që në këtë fushë ishte e pamundur për t’u kryer stërvitje, pasi ishte e mbuluar nga uji. Kjo e detyroi skuadrën që të kthehej menjëherë drejt Korçës dhe stërvitja është zhvilluar në një fushë pranë Universitetit.
Lika Leskaroski, 90% luajnë nesër
Stafi mjekësor i skuadrës korçare është duke punuar shumë, në mënyrë që të rikthejë në fushë dy të dëmtuarit e skuadrës, lezhjanin Lika dhe maqedonasin Leskaroski. Lika ka dy ndeshje që nuk luan, ndërkohë që Leskaroski nuk luajti vetëm në Shkodër, të dy për shkak dëmtimesh. Dhe mungesa e tyre është ndierë, ndërkohë që dje të dy lojtarët janë bashkuar me grupin dhe mendohet që me mbi 90% të mundësive të jenë të gatshëm.
Popularity: 1% [?]




