Rritet numri i bizneseve fierake që deklarojnë falimentin, ndërkohë që biznesmenët e rinj po tregohen tepër “të kujdesshëm”. Haxhi Krasniqi, kreu i QKR-së Fier, është shprehur se kostoja e lartë e jetesës së qytetarëve dhe tregu, kanë qenë ndikuesit kryesorë të natyrës së përzgjedhur nga biznesmenët e rinj. “Qytetarët kanë treguar se po gjejnë rrugë alternative për të siguruar të ardhura dhe punë. Kjo duket te bizneset e çelura gjatë katërmujorit të parë të vitit 2010. Të paktën të dhënat që ka QKR-ja tregojnë se janë çelur më shumë biznese sesa janë mbyllur. Kjo deklaratë mund të bjerë ndesh me shifrat që ka dega rajonale tatimore, si dhe drejtoria e tatimeve në bashki. Por, duke u bazuar tek ata që i janë drejtuar QKR-së, shprehem se kriza ekonomike ka reflektuar më shumë në natyrën e bizneseve të reja”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se bizneset e reja kanë qenë kryesisht pika tregtimi produktesh ushqimore si dhe bar-kafe.
Ndërkohë kalimi i mjaft bizneseve nga të vegjël në të mëdhenj ka bërë që të shtohet së tepërmi numri i atyre subjekteve që deklarojnë falimentin e që kërkojnë mbylljen e aktivitetit.
Popularity: 1% [?]




