Këshilli i Qarkut të Fierit ka përcaktuar si përparësi në investimet e vitit 2009 zhvillimin e turizmit, përmirësimin e rrugëve dhe mbrojtjen e mjedisit. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i këtij këshilli, Luan Muçaj. “Zbatimi i strategjisë së zhvillimit të turizmit, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe mbrojtja e sistemit ekologjik, janë fushat ku do të përqendrohen investimet këtë vit në Qarkun e Fierit”, theksoi Muçaj. Sipas tij, ata kanë bërë dhe listën e segmenteve rrugore me më shumë probleme. “Tashmë jemi në fazën e përfundimit të projekteve për rikonstruksionin e tyre”, tha kreu i Këshillit. Ndër pjesët më të dëmtuara, ku rikonstruksioni pritet të fillojë brenda janarit, është ajo që lidh rrugën nacionale Fier-Vlorë me qendrën e Komunës Cakran. Ky segment që shërben si nyjë lidhëse për afro 10 fshatra të kësaj zone me qytetin e Fierit dhe ku lëvizin rreth 18000 banorë, ka pothuaj 10 vjet pa investime dhe është pothuaj i pakalueshëm.
“Rregullimi i kësaj rruge dhe i disa segmenteve të tjera që janë përfshirë në listën e përparësive të vitit 2009 do të financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Një tjetër fushë ku ky fond dhe donatorë të tjerë kanë shfaqur interes dhe mund të financojnë është mjedisi dhe turizmi”, përfundoi Muçaj.
Popularity: 2% [?]




