Për fierakët nuk ka krizë ekonomike. Shumë banorë të qytetit të Fierit edhe për këtë sezon veror kanë preferuar që pushimet t’i kalojnë jashtë vendit, duke sfiduar kështu krizën ekonomike.
Kjo vërtetohet nga të dhënat e agjencive turistike, që operojnë aktualisht në këtë qytet. Ato sqarojnë se janë bërë me dhjetëra prenotime për pushime jashtë vendit. Operatorët turistikë në Fier thonë se kanë nisur prej më shumë se dy javësh prenotimet për pushime jashtë vendit, dhe fluksi i tyre nuk ka ndryshuar aspak krahasuar me vitet e tjera. Madje ata shtojnë se sivjet këto prenotime kanë qenë në rritje. Vendet më të preferuara vazhdojnë të jenë Turqia, Kroacia, Dubai, Mali i Zi dhe Egjipti, por nuk mungojnë edhe prenotimet për në bregdetin e Spanjës apo të Karaibeve.
Javët e para të prenotimeve kanë treguar se fierakët vazhdojnë të preferojnë pushimet jashtë vendit. Deri tani, Turqia, zë vendin e parë për tërheqjen e turistëve fierakë. Grupet e para të pushuesve që kanë përzgjedhur Turqinë janë nisur që më datë 16 qershor. Ofertat për këtë vend turistik do të jenë në fuqi deri në fund të muajit shtator. “Jemi pothuaj në të njëjtin tregues me atë të viteve të kaluara”, tha Alfred Tanku, operator në Fier.
Ndryshimi sivjet, sipas tij, ka ardhur si pasojë e heqjes së vizave me Kroacinë. Liberalizimi i vizave nga shteti kroat, ka bërë që të ulet interesi për kërkimin e ofertave në agjencitë turistike. Nisur nga kjo shumë fierakë kanë përzgjedhur udhëtimin për në Kroaci, nëpërmjet makinave private. “Të njëjtën mënyrë kanë ndjekur edhe personat që kanë dëshiruar të pushojnë në plazhet e Maqedonisë apo të Malit të Zi, duke u krijuar mundësi agjencive të operojnë vetëm me ato vende turistike që kanë përmasa ndërkombëtare”, tha Anjeza Behaj, operatore.
Të tjerë punonjës agjencish, shprehen se ka një interesim në rritje nga ana e pushueseve, që dëshirojnë të qetësohen jashtë vendit. Fluksi aktual nuk krahasohet me atë të viteve të mëparshme, duke krijuar idenë se kriza ekonomike nuk është ndier aspak në këtë qytet. Ndërkohë, kjo periudhë shënon edhe ardhjen e emigrantëve, kryesisht nga Greqia. Sipas agjencive të Fierit, mësohet se në këtë qytet vijnë për çdo ditë 5 autobusë dhe afro 300 emigrantë në ditë, kthimi i të cilëve ka nisur që prej tri javësh.
Popularity: 1% [?]




